Llogaritja e pikëve për Maturën Shtetërore
Mënyra e përllogaritjes së pikëve për garën në universitete do të jetë e njëjtë si një vit më parë. Ministria e Arsimit një ditë pas publikimit të koeficienteve të lëndëve me zgjedhje dhe koeficientet që universitetet kanë vendosur për profilet e shkollave (të cilat mund t'i gjeni në adresën www.shekulli.com.al/edukimi), konfirmon se formula e përllogaritjes nuk do të ndryshojë. Kështu, maturantëve do t'u duhet të presin edhe notat që do të marrin në provimet e maturës për të bërë një përllogaritje individuale të pikëve.
Megjithatë, duke përdorur nota të përafërta nëpërmjet formulës së përcaktuar nga MASH mund të bëjnë përllogaritje të pikëve minimale që mund të arrijnë. Formula e llogaritjes që do të përdorë Agjencia Kombëtare e Provimeve është: ((D1 + D2 + M) x k1 + (T1 + T2) x k2) x 100 = X. Sipas kësaj formule, M = mesatarja, D1 = provimi i detyruar i letërsisë, D2 = provim i detyruar i matematikës, T1 = provimi me zgjedhje 1, T2 = provimi me zgjedhje 2, k1 = koeficienti sipas shkollës së kryer dhe k2 = koeficienti sipas provimeve me zgjedhje. Duke zëvendësuar faktorët me notat dhe koeficientet përkatës, çdo maturant mund të përllogaritë pikët që mund të arrijë dhe më tej të shohë se në cilat degë ka më shumë mundësi për të fituar.
Në maturën e një viti më parë, gara për katër fakultete më të kërkuara Drejtësi, Ekonomi, Mjekësi dhe Histori-Filologji ishte shumë e ashpër. Përmendim këtu se për të fituar një të drejt studimi në drejtësi maturanti duhej të kishte së paku 5353,50 pikë. Ndërsa për të fituar në fakultetin e Ekonomikut një maturant duhet të kishte së paku 5912,40 pikë, në Mjekësi 6230,70 pikë e në fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë nuk mund të fitojë një të drejtë studimi me më pak se 5040,00 pikë. Përjashtim nga kjo mënyrë llogaritjeje bëjnë disa programe të studimit në Akademinë e Arteve, Universiteti i Sporteve në Tiranë, programet e studimit "Edukim Fizik dhe Sporte" në Universitetin e Shkodrës dhe Elbasanit, si dhe për programin e studimit "Arkitekturë" të Universitetit Politeknik të Tiranës, ku do të merren parasysh edhe rezultatet e konkurseve të pranimit.
Duke qenë se parimi bazë i përzgjedhjes së fituesve të Maturës Shtetërore është merita dhe preferenca, MASH në mënyrë të vazhdueshme u ka bërë thirrje maturantëve që të shohin mundësitë reale që kanë për të fituar një program studimi në universitetet publike. E thënë ndryshe, institucioni përgjegjës për edukimin këshillon maturantët që të zgjedhin ato degë që kanë një kufi minimal më të lartë se pikët që ka një maturant. Çka do të thotë se një nxënës që ka marrë 5000,00 pikë nuk mund të klasifikohet kurrsesi fitues në programin e Mjekësisë, ku minimumi i pikëve të kërkuara është 6230,70.



/ 12





